Bllokohet gazeta opozitare në Bjellorusi, arrestohet kryeredaktori

exit.al 8 Korrik 2021, 18:58

Autoritetet bjelloruse kanë bllokuar faqen e internetit të një gazete që ka qenë kritike ndaj udhëheqësit Alexandër Lukashenko dhe kanë marrë në pyetje kryeredaktorin e saj.

Gazeta, Nasha Niva, një nga më të vjetrat e Bjellorusisë, raportoi mbi protestat kundër Lukashenkos verën e kaluar dhe ishte një burim i rëndësishëm informacioni për mbështetësit e opozitës.

Përfaqësuesit e saj thanë se forcat e sigurisë kishin bastisur zyrat dhe kishin arrestuar kryeredaktorin e saj, Yahor Martsinovich.

Gruaja e Martsinovich  njoftoi mediat sociale se burri i saj ishte ndaluar ndërsa kishte nxjerrë shëtitje qenin dhe se më pas shtëpia e tyre ishte kontrolluar.

Ministria Bjelloruse e Informacionit tha në një deklaratë se kishte bllokuar faqen e internetit me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm, duke e akuzuar atë për përhapjen e informacionit “në emër të organizatave që nuk janë të regjistruara në Bjellorusi”.

Komiteti hetimor i vendit më vonë tha se Martsinovich ishte arrestuar nën dyshimin se ai kishte marrë pjesë në protesta masive anti-qeveritare vitin e kaluar dhe kishte "shkelur rendin publik".

Mediat kritike ndaj qeverisë në Bjellorusi kanë qenë në shënjestër të autoriteteve pas protestave masive që përfshinë vendin gushtin e kaluar pas zgjedhjeve presidenciale që opozita tha se ishin manipuluar.

Në kulmin e demonstratave, Nasha Niva publikoi video që tregonin se policia arrestoi dhunshëm protestuesit.

Policia financiare bjelloruse në maj bastisi redaksinë e Tut.By, faqja më e madhe jo-shtetërore e lajmeve në vend, dhe shtëpitë e disa anëtarëve të saj pasi ia hoqi statusin si media zyrtare.

Po atë muaj autoritetet arrestuan gazetarin disident Roman Protasevich dhe të dashurën e tij pasi detyruan avionin ku ata po udhëtonin nga Athina në Vilnus të bënte ulje të detyruar në Minsk.