BE-ja i dhuron Shqipërisë 20 mijë teste Covid-19

exit.al 21 Prill 2020, 16:10

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, njoftoi të martën se ditët në vijim në Shqipëri do të vijnë ndihmat me materialet e nevojshme për kontrollet ndaj Covid-19. Përmes një postimi në Twitter, Soreca u shpreh se dërgesa në fjalë e kërkuar nga Instituti i Shëndetit Publik, siguron rreth 20 mijë teste për koronavirus.

“Sa më të besueshme janë testet, aq më efektive është lufta, BE-ja mbështet Shqipërinë!”

Shqipëria, bashkë me Kosovën dhe Malin e Zi, është ndër vendet me më pak teste të kryera në rajon. Serbia (mbi 40 mijë teste), Kroacia (mbi 26 mijë), Bosnje e Hercegovina (mbi 17 mijë), apo dhe Maqedonia e Veriut (mbi 12 mijë) kanë testuar më shumë se dyfishin e personave të raportuar në Tiranë, Prishtinë apo Podgoricë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha falenderoi BE-në për mbështetjen dhe kujtoi se

“Vetëm rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve dhe frenimin e përhapjes së virusit. Izolimi i qytetarëve dhe bllokimi i ekonomisë kushton më shumë se rritja e numrit të testimeve.”

ISHP deklaroi të martën se prej fillimit të epidemisë ka testuar rreth 6 mijë persona për Covid-19, prej të cilëve 609 kanë rezultuar të infektuar. Nga të infektuarit, 345 janë shëruar ndërsa 26 kanë vdekur.