Kreu i PD-së Luzlim Basha takoi, të dielën, një çift të rinjsh për t’i shpjeguar atyre programin ekonomik të opozitës dhe se si do të mbështeten familjet e reja dhe të rinjtë.
Basha tha se në qendër të programit ekonomik të PD-së është familja shqiptare, e në veçanti rinia dhe familjet e reja.
“U bënë 8 vite që për rininë nuk kujdeset askush. Plaga kryesore që ka vendi është se rinia po largohet. Katastrofë kombëtare,” u shpreh Basha.
Ai premtoi se me ardhjen e opozitës në pushtet, ‘nesër do të ketë një qeveri që nuk mendon për vete, mendon për ju’.
Basha i kujtoi çiftit disa nga premtimet e PD-së në ndihmë të familjeve të reja:
- Për çdo fëmijë të porsalindur do të jepet çdo muaj një përkrahje prej 3 mijë lekësh, deri në moshën 5 vjeçare.
- Tekste shkollore falas për të gjitha klasat.
- Krijimi i një sistemi arsimor ku fëmijët mund të qëndrojnë në shkollë pas mësimit për të bërë detyrat.
- Heqje e tarifave të universitetit për të gjithë studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
- Vit për vit 5 mijë çifte të reja do të përfitojnë nga shteti subvencionim 100% të interesave të kredisë bankare për blerjen e shtëpisë.
Basha kërkoi mbështetjen e gjithë të rinjve për të rrëzuar qeverinë Rama në zgjedhjet e 25 prillit.
Shpërndaje te miqtë
