Basha në Gjirokastër: PD-ja doli më e fortë nga zgjedhjet

exit.al 27 Maj 2021, 13:50

Kreu aktual i Partisë Demokratike, në një takim me strukturat e PD-së në Gjirokastër, deklaroi se kjo parti doli më e fortë nga zgjedhjet, pavarësisht masakrës zgjedhore.

"Dhe pavarësisht kësaj përballjeje, një aritje të madhe ne mund të themi që e kemi: dolëm nga kjo garë e pabarabartë, nga kjo betejë e pabarabartë dhe nga kjo masakër zgjedhore më të fortë dhe më të mëdhenj se sa ç’ishim," u shpreh Basha.

Ai shtoi se Rama në këto zgjedhje e trajtoi PD-në, jo si kundërshtar, por si armik.

"Me poshtërsinë më të madhe dhunoi jo vetëm ligjin, por përdori dhunën, shantazhin, largimet nga puna, gjobën, ndalimet e paligjshme në mënyrë masive ndaj aktivistëve dhe anëtarëve tanë në këtë fushatë," tha Basha.

Ai kërkoi votëbesimin e demokratëve të Gjirokastrës pasi, sipas tij, beteja e nisur "kërkon lidership të sprovuar dhe të vendosur".