Basha: Kam që në 2011 që e ftoj Ramën në debat, por nuk vjen

exit.al 24 Prill 2020, 23:49

Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se ka që prej vitit 2011 që e fton Zotin Rama në debat, “por ai nuk ka pranuar. Në çdo moment jam i hapur për debat, por ai ka refuzuar të vijë në debat me mua”.

I ftuar në emisionin Java të Preç Zogaj, Zoti Basha akuzoi Kryeministrin se ka para për oligarkët dhe jo për qytetarët:

“Një javë pasi kishte nisur pandemia i paguan 22 milionë euro 4 oligarkëve, ndërsa për dhjetëra mijëra familje që u takon kjo shumë me VKM, 10 milion euro deri ditën e sotme”.

Gjithashtu, Zoti Basha tha se qeveria ka rritur numrin e testimeve pas kërkesave të PD-së, por sërish ato janë të pamjaftueshme:

"Natyrisht, janë rritur pasi kemi ngritur zërin pesë herë në ditë për testimet, por prapë janë të pamjaftueshme, janë të pamjaftueshme sepse nuk janë marrë mjaftueshëm kite testimi."