Qeveria e quan të panevojshëm spitalin karantinë që premtoi një muaj më parë

exit.al 24 Prill 2020, 19:01

Në muajin mars qeveria u angazhua publikisht të kthente mjediset e një ish-universiteti privat jashtë Tiranës në spital karantinë, por një muaj më vonë Zëvendësministrja e Shëndetësisë ka lënë të kuptohet se ky projekt nuk po ndiqet me të njëjtën urgjencë. Në një intervistë për mediat, Zëvendësministrja Mira Rakacolli, u shpreh se aktualisht sistemi spitalor “ka kapacitete të mjaftueshme për përballimin e situatës së epidemisë”. Rakacolli tha se “gjendja është komplet e kontrolluar pasi në spitale ka vetëm 34-35 pacientë me Covid-19”. Më 25 mars qeveria u zotua të sajojë mjediset e ish-Universitetit Kristal në spital karantinë, në mjediset e së cilit do të përfitoheshin të paktën 100 shtretër. Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi asokohe se ndërtesa do të rehabilitohej e më pas do të mobilohej me pajisje spitalore bazë për te përballuar fluksin e pacientëve me simptoma të lehta. Kryeministri Rama kërkoi që ajo të bëhej gati për 20-30 ditë. Një muaj më vonë, situata duket ndryshe. Spitali karantinë nuk është përfunduar dhe zëvendësja e Manastirliut e cilëson të panevojshme.

“[…] atëherë gjykohej se mund të kishim më shumë të sëmurë dhe ajo do të ishte në përdorim, fakti që ne nuk kemi më nevojë, për momentin flas, e përballojmë shumë mirë me këto kapacitete që kemi, nuk kemi nevojë për […]”

Të premten autoritetet shëndetësore raportuan 15 të infektuar të tjerë me Covid-19 duke e çuar totalin në 678 persona të prekur, prej të cilëve 394 janë shëruar dhe 27 kanë vdekur.