Artistët letër Presidentit Meta: Mos dekreto ligjin që lejon shembjen e Teatrit

exit.al 23 Korrik 2018, 13:15

Artistë dhe qytetarë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, i kanë kërkuar Presidentit Meta të mos e dekretojë ligjin që lejon shembjen e teatrit dhe dhënien e tokës kompanisë Fusha për të ndërtuar kompleks kullash. Artistët, me anë të një letre, i kërkojnë presidentit Meta ta rikthejë ligjin në parlament:

“Përgjegjësia bie mbi ju dhe është vendimtare.

Ky ligj shkel balancën mes pushteteve. Ju duhet të ishin filtri i parafundit në këtë proces. Por meqë mungon Kushtetuesja, ju jeni filtri i fundit. Riktheheni atë për rishqyrtim.”

Ligji special  i teatrit të ri u miratua në Kuvend më 5 korrik vetëm me votat e mazhorancës. Ligji e kalon tokën publike të Teatrit Kombëtar tek kompania private Fusha shpk, për ndërtimin e teatrit të ri dhe ndërtimin e 6 kullave rreth tij. Deputetët e shumicës socialiste miratuan një ligj, i cili bie ndesh me Kushtetutën, pasi shkel parimin e decentralizimit dhe autonomisë së qeverisjes vendore, duke i rrëmbyer pushtetit vendor kompetencat kushtetuese. Si dhe bie ndesh direkt me nenet 71 dhe 74 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), të cilat lidhen me respektimin e konkurueshmërisë dhe mos-diskriminimit në lidhje me kontratat publike të lidhura nga qeveria shqiptare. Shpërndaje te miqtë