Ambasadorja amerikane përgënjeshtron zërat për përplasje personale me Bashën

exit.al 3 Qershor 2020, 13:11

Ambasadorja amerikane Yuri Kim përgënjeshtroi lajmet për debate të ashpra mes saj dhe zotit Basha.

Në një postim në twitter, ambasadorja Kim e quajti të pakuptimtë deklaratën e gazetarit Çim Peka se mes saj dhe kryetarit të PD-së Basha ka pasur debate të forta.

“Kjo nuk ka kuptim. Ai më thërret mua Yuri dhe unë e thërras atë Luli. Pse? Sepse ne jemi shokë e kolegë”, shkruan ambasadorja në twitetr.

Gazetari Çim Peka tha dje, në emisionin "Ora 19" se:

“Ka pasur një bisedë të fortë nga kryetari i opozitës Basha dhe ambasadores amerikane, Yuri Kim. Bisedë me tonë shumë të ashpra.

Burime e mia bëjnë me dije se zoti Basha i ka bërë me dije ambasadores se ‘unë nuk jam Luli Basha, por jam kryetari i opozitës. Nëse vazhdoni të jeni në lojë me Ramën, vazhdoni me të”.