Ambasadori i ri austriak qeverisë: Plotësoni 15 kushtet para Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Be

exit.al 15 Qershor 2020, 15:54

Ambasadori i ri i Austrisë në Tiranë, Christian Steiner i ka bërë thirrje politikanëve shqiptarë që të punojnë për plotësimin e 15 kushteve të vëna nga Bashkimi Europian para Konferencës së Parë Ndërqeveritare, në fillim të vitit 2021 – e cila përcakton fillimin në praktikë të negociatave Shqipëri-BE. Në një intervistë për gazetën Panorama, Zoti Steiner deklaroi se pas çeljes së negociatave nga BE-ja në mars 2020, tani është në dorën e Shqipërisë të përmbushë kushtet. Ai vuri theksin tek përfundimi i Reformës Zgjedhore, vazhdimi i reformës në drejtësi dhe liria e medias:

"Pasi Këshilli i BE-së më 25 mars çeli dritën jeshile, tani është në dorën e Shqipërisë të përmbushë kriteret e anëtarësimit.

Bëhet fjalë për 15 temat e lidhura me kriteret politike, nga të cilat, përveç Reformës Zgjedhore, për mendimin tim, liria e medias dhe Reforma në Drejtësi janë të një rëndësie të veçantë.

Ne shpresojmë shumë që këto kushte do të përmbushen sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të mbahet Konferenca e parë e Anëtarësimit."

Ambasadori theksoi se Austria mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian. Shpërndaje te miqtë