“Përgjatë rrjedhjes së Drinit në zonën e Dibrës, Konsorciumi Suzer-Nurol ka planifikuar ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me fuqi 165 MW dhe të hidrocentralit më të vogël të Katundit te Ri me fuqi 57 MW. Duke i shtuar këtyre dy investimeve edhe ndërtimin e hidrocentralit të Arrasit fuqia totale shkon në 270 MW. Këto projekte do të fillojnë brenda tre muajve me një investim total prej 450 milion dollarësh. Ndërkohë, Suzer Grup po interesohet pranë qeverisë shqiptare për privatizimin e mundshëm të hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, me fuqi totale 1 350 MW.”
Kjo deklaratë ngre dyshime serioze mbi marrëdhëniet e qeverisë dhe kompanisë Suzer, veçanërisht pasi qeveria nuk ka bërë asnjë lloj transparence në lidhje me këtë marrëdhënie. Tonet e sigurta dhe faktike të kësaj deklarate janë në kontrast me tonet e kujdesshme të një sqarimi që kompania Syzer bëri për publikun shqiptar para pak ditësh, në përgjigje të akuzave të opozitës për aferë klienteliste mes saj dhe qeverisë. Ndryshe nga informacioni që dha për median turke, për publikun shqiptar kompania deklaroi:“Në qoftë se do kemi sukses në proçesin e tenderimit, i cili do të jetë plotësisht transparent dhe në përshtatje me Ligjin e Shqipërisë për Partneritetet Publiko-Private (PPP), atëherë investimi që ne do të bëjmë në fazën e parë të këtij projekti llogaritet të jetë rreth 120 milionë euro.”
Kryeministri Rama dhe Ministri Ahmetaj janë akuzuar nga opozita dhe zëra të tjerë publikë për marrëdhënie klienteliste me kompaninë Suzer. Akuzat e tyre kanë fituar kredibilitet për shkak se qeveria zgjodhi variantin minimal për zhvillimin e veprës hidroenergjitike të Skavicës, i cili konsiderohet më i papërshtatshmi për interesat ekonomike dhe strategjike të vendit. Kompania Suzer nuk përfshihet për herë të parë në marrëdhënie të debatuara biznesi në Shqipëri. Në vitin 2000, përmes bankës së saj Kent, ajo privatizoi Bankën Kombëtare Tregtare për shumën simbolike 1 euro. Privatizimi i atehershëm i BKT-së u përfol si akt korruptiv nga ana e qeverisë Meta. Më vonë Banka Kent ja shiti BKT-në grupit turk Çalik. Artikuj të lidhur: SKAVICA: tradhëti kombëtare (ose rënia e shkencës dhe sundimi i pseudoartit) SKAVICA – sipas standardit “Qeveri e Mirë a Qeveri e Keqe” Skavica – si tregues i kleptonomisë së qeverisë Rama
