- Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto —Në vitin 2014, Klemend Balili u emërua drejtor i Drejtorisë së Transportit Rrugor në Sarandë. Në momentin e emërimit, Partia Demokratike e denoncoi atë për të shkuar kriminale, duke bërë publik arrestimin e tij në vitin 2006 për trafik droge. Por Ministri Haxhinasto nuk bëri asnjë verifikim apo reflektim për emërimin e tij.
Mbi të gjitha, Zoti Haxhinasto nuk ka shpjeguar si e ka justifikuar ai dëshirën e një biznesmeni shumë të pasur për të punuar si zyrtar publik i nivelit të ulët, madje pa patur as një kualifikim për detyrën përkatëse.
- Institucioni i deklarimit të pasurive ILDKPKI – Si funksionar publik, Zoti Balili ka bërë të paktën dy deklarime deri më tani, por nuk ka ngjallur asnjë dyshim tek ky institucion.
- Policia e Sarandës – Policia nuk bëri verifikimin e akuzave të PD-së, megjithëse në arkivat e saj është dosja e arrestimit të Zotit Balili në vitin 2006 me akuzën e trafikut të drogës. Nga ana tjetër, edhe pse në territorin e saj janë pastruar para përmes ndërtimit të një resorti luksoz milona eurosh, policia e Sarandës nuk ka dyshuar apo nuk ka hetuar asnjëherë burimin e financimit.
- Inspektoriati ndërtimor, INUK Sarandë — Në vitin 2014, Bashkia e Sarandës bëri kallëzim penal në prokurori ndaj kompanisë së Zotit Balili për punime të paligjshme për ndërtimin rezortit turistik të Zotit Balili. INUK nuk ndërhyri asnjëherë për të verifikuar ligjshmërinë e punimeve, të cilat tashmë dihen që ishin të paligjshme.
- Prokuroria Sarandë — Nuk hetoi padinë e Bashkisë Sarandë ndaj kompanisë së Zotit Balili. Nuk nisi asnjë hetim tjetër kryesisht edhe pse ka patur tregues të shumtë për dyshime rreth aktivitetit të Zotit Balili, mbi të gjitha pastrimin e produkteve të krimit përmes ndërtimit të rezortit turistik.
- Drejtoria e Tatimeve Sarandë — Zoti Balili arriti të ndërtonte një rezort miliona eurosh, të financuar nga trafiku i drogës, por drejtoria e tatimeve të Sarandës nuk ka gjetur asnjë shkelje në aktivitetin e tij dhe asnjë dyshim për financim të paligjshëm.
- Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave — Është e pamundur që kjo drejtori të mos ketë patur tregues të mjaftueshëm transfertash apo veprime financiare që ngjallnin dyshime për pastrim apo qarkullim aprash të paligjshme.
- Kryeparlamentari Ilir Meta, Ministri Arben Ahmetaj dhe ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima – Të tre morën pjesë në inagurimin e hotelit të vëllezërve Balili në Sarandë, edhe pse pjesëmarrja e tyre në një inagurim privat është e pajustifikuar. Është e pamundur që ata të mos kenë patur asnjë dyshim për burimin e parave për investimin që po inaguronin; minimalisht, ata duhet të kanë qenë të njohur me akuzat e PD-së për të shkuarën kriminale të Zotit Balili. Mund të thuhet me siguri që ata nuk kaneë treguar asnjë kujdes për standartet morale dhe etike që kërkohen prej tyre si politikanë të lartë.
