Zgjedhjet në UT—Rektori Koni shkarkon nga detyra pesë anëtarë të Komisionit të Zgjedhjeve

exit.al 6 Maj 2020, 18:11

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni shkarkoi nga detyra si pedagogë, pesë nga shtatë  anëtarët e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ), me motivacionin e shkeljes së rregullores së Universitetit të Tiranës.

Rektori Koni shkarkoi nga detyra si pedagogë, kryetaren e KIZ, Majlinda Ketën dhe anëtarët, Benard  Dosti, Orjona Muçollari, Ardian Doka, Eglantina Gishti. Shkarkimi i tyre erdhi disa ditë pas vendimit të KIZ për të shpallur garën për organet drejtuese të UT.

Më datën 30 prill, KIZ pranë Universitetit të Tiranë vendosi shpalljen e regjistrimit të kandidatëve për “Rektor” dhe “Anëtar Senati”. Menjëherë, pas kësaj deklarate do të reagonte Rektori i UT, i cili deklaroi se grup i personave që kishin nënshkruar vendimin e publikuar ishin anëtarë pa mandate të Komisionit dhe se vendimet e tyre ishin në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë dhe Rregulloren e zgjedhjeve të universitetit.

Vendimi i KIZ u miratua pak ditë pasi Kuvendi zgjati periudhën e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Vendimi i tij u kritikua nga studentët, të cilët kërkuan shtyrjen e tyre dhe nga organizata të shoqërisë civile.

Në një artikull të mëparshëm, Exit argumentoi se zgjedhjet në universitet gjatë kësaj periudhe janë të paligjshme.