“[…] SMS-ja e marrë në numrin 06XXXX80 [celulari i Vasilit] […] është dërguar nga një platformë e huaj SMS në internet për dërgimin e SMS-ve jashtë rrjetit Vodafone, ku në ID-në e dërguesit është vendosur numri 06XXXX70 [celulari i Bashës] dhe nuk rezulton si SMS e vërtetë e dërguar nga numri i mbajtur nga z.Basha.”
Në shkresë theksohet se komunikimet e mëparshme të gazetares Vasili dhe Bashës kanë qenë në formën e I-Message (mesazhe që dërgohen vetëm mes celularëve Apple) ndërsa pyetja në fjalë ishte dërguar si SMS e thjeshtë. Të mërkurën gazetarja Vasili i drejtoi Kryeministrit Rama një pyetje, të cilën ajo tha se i erdhi me SMS prej kryetarit të PD-së Basha:“A jeni i gatshëm të ma lini mua postin e Kryeministrit dhe të bëhem unë Kryeministër?”
Rama fillimisht u shpreh mosbesues nëse kjo pyetje vinte nga Kryetari i PD-së, më pas e ironizoi se një pyetje të tillë ai mund ta kishte formuluar “në gjumë”. Pas situatës në studion e Top-Channel, Kryetari i PD-së, Basha mohoi t’i kishte nisur pyetjen në fjalë gazetares Vasili. Basha kërkoi hetim të menjëhershëm të rastit, të cilin e konsideroi “skandaloz dhe kriminal” të ardhur nga “zyrat e propagandës së qeverisë”.
