99 për qind e vdekjeve në Itali, pacientë me probleme shëndetësore

exit.al 20 Mars 2020, 16:31

Një studim i autoriteteve shëndetësore italiane nxorri si përfundim se 99 për qind e vdekjeve nga koronavirusi në Itali ishin pacientë me probleme ekzistuese shëndetësore.

Studimi mori në shqyrtim 335 viktima, nga ku rezultoi se vetëm 3 prej tyre nuk kishin sëmundje të mëparshme përpara se të infektoheshin nga koronavirusi.

Gati gjysma e tyre - 48.5 për qind - kishin 3 ose edhe më shumë probleme shëndetësore para se të diagnostikoheshin me Covid-19.

Dy sëmundje kishin 25.6 për qind e viktimave, ndërsa 25.1 për qind kishin vetëm një.

Të enjten Italia u bë vendi me më shumë viktima nga koronavirusi në botë. Në 24 orët e fundit vdiqën 427 persona ndërsa numri total i viktimave shkoi në 3 405 persona, ndër to 13 mjekë.