Tre policë kallëzojnë në Prokurori kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun

exit.al 29 Qershor 2021, 13:05

Tre efektiv të policisë kanë hapur kallëzim penal ndaj kryetarit të bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreut, për shkelje të atributeve të policisë.

Sipas burimeve të gazetës Panorama, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, pas orës 23.00, në zonën turistike të Shëngjinit, në ambientet e një hoteli në bregdet.

Punonjësit e Policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit, në respektim të rregullave antiCovid në vend.

Por, pronari i hotelit ka kundërshtuar dhe policët kanë thirrur përforcime nga reparti "Shqiponja".

Gjatë përleshjesme pronarin dhe stafin e hotelit, që nuk pranonte të shoqërohej, sipas policëve, ka ndërhyrë Ndreu duke deklaruar “Ligjet i bëj unë dhe i vendos unë…”.

Më pas Ndreu kishte pretenduar se po zhvillohej një aktivitet i bashkisë Lezhë, me pjesëmarrës edhe përfaqësues të huaj.

Policët kërkojnë që Ndreu të mbajë përgjegjësi ligjore për pengimin e kryerjes së detyrës nga ana e policisë.