“Më pas bëjnë vetingun. Nëse [pasi të jenë emëruar] nuk e kalojnë vetingun, shkarkohen dhe menjëherë hyn në lojë propozuesi dhe inicion procesin [nga fillimi].”Me këtë deklaratë, Zoti Balla po propozon praktikisht shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të reformës në drejtësi. Çfarë parashikon Kushtetuta për Gjykatën Kushtetuese? Kushtetuta, në nenin 179/b të saj parashikon:
“Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio.”
Po ashtu, Ligji për Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, i ndryshuar nga shumica socialiste në vitin 2016-ën, në nenin 7 parashikon kushtet që duhet të plotësojë një gjyqtar që të përzgjidhet anëtar i GjK, ku ndër të tjera duhet dhe:dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.Pra, si në Kushtetutë, ashtu dhe në ligjin rregullues, nënshtrimi dhe kalimi me sukses i procesit të vetingut është kusht për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë se zgjedhja e anëtarëve të GjK pa kaluar vetingun është në shkelje të Kushtetutës. Ironikisht, zoti Balla propozon që këta anëtarë që do të zgjidhen duke shkelur Kushtetutën më pas do të bëjnë interpretimin e Kushtetutës dhe do të gjykojnë kushtetutshmërinë e akteve ligjore dhe nënligjore. Të njëjtën praktikë të shkeljes së Kushtetutës, Qeveria Rama përdori dhe në zgjedhjen e Kryeprokurores së Përkohshme të Përgjithshëm, Zonjës Arta Marku, e cila u zgjodh pa kaluar vetingun dhe madje në një pozicion që nuk parashikohet fare në Kushtetutë. Sapo u përzgjodh si PPP, Arta Marku, po në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit ndryshoi strukturën e sistemit të prokurorisë së përgjithshme, shkarkoi dhe bëri emërime të drejtuesve kryesorë në sistemin e prokurorisë, madje të gjithë pa kaluar vetingun. Fatkeqësisht, dy vjet pas miratimit të reformës në drejtësi vetingu ka mbetur një koncept në letër pasi të gjitha emërimet në sistemin e drejtësisë janë bërë pa kaluar vetingun, ndërkohë që reforma në drejtësi po dështon të japë rezultate konkrete. Shpërndaje te miqtë
