Takimi Greqi-Turqi të hënën: Arsyet që detyruan Erdoganin të pranojë

exit.al 24 Janar 2021, 20:15

Të hënën do të mbahet takimi mes Greqisë dhe Turqisë, raportojnë mediat greke.

Dy shtetet do të diskutojnë mbi konfliktin për kufirin detar.

Sipas medieve greke delegacioni i Athinës ka arritur në Turqi dhe takimi do të zhvillohet në një ambient me pamje nga Bosfori.

Sa i takon synimeve të Turqisë, në mediat greke shkruhet se ato janë të njohura.

“Kthesa e papritur e udhëheqjes turke është e lidhur drejtpërdrejt me dy faktorë kryesorë”, shkruajnë mediat greke.

Sipas tyre e para është frika e sanksioneve të BE në mars ndaj Ankarasë, që do i jepte një goditje vendimtare ekonomisë turke, me koston për qeverinë Erdogan të kuptueshme lehtësisht.

Faktori i dytë ka të bëjë me ndryshimin e qeverisë në Shtetet e Bashkuara dhe pasigurinë rreth synimeve të Uashingtonit nën drejtimin e Joe Biden, shkruan media greke Tanea.

Ky është raundi i ri, i 61-të i bisedimeve për eksplorimet në det midis Athinës dhe Ankarasë.

Kryeministri grek, Qiriakos Mitsotaqis tha më herët se ai shpresonte që bisedimet të niseshin aty ku u ndalën në mars të vitit 2016.

Mitsotakis tha se Athina kërkon një marrëdhënie të frytshme me Ankaranë, duke shtuar se të dy vendet do të diskutojë çështjen e zonave detare të diskutueshme.

Greqia dhe Turqia prej disa muajsh kanë shkëmbyer akuza dhe kërcënime për sa i përket konfliktit për ndërhyrjet e Turqisë në ujrat grekë.

Po ashtu, Turqia ka paralajmëruar se një zgjerim i detit nga ana e Greqisë në lindje do të ishte një shkak për luftë.

Shpërndaje te miqtë