“Këta njerëzit shiheshin si “target i thjeshtë” dhe neve na mësuan si t'u nxirrnim më shumë para. Na thanë të përdornim emra fals, të bënim sikur ishim miqësuar me ta dhe t'i kontaktonim edhe pas orarit të punës”, tha ish-punonjësi për Exit News.
"Na thanë të përdornim WhatsApp-in për të folur me ta, pasi të kishim vendosur kontaktin e parë me telefon në zyrë, i cili regjistrohej në rast kontrolli – në këtë mënyrë ne mund të shkelnim rregullat për të shitur më shumë dhe pa asnjë provë", shtoi dëshmitari.
Burimi shpjegoi se kur ai ose punonjësit e tjerë ndiheshin shumë në faj për veprimet që po bënin, shefi i tij, i cili ishte zëvendësi i drejtuesit të zyrës së Qipros, i qeranste me alkool dhe, në disa raste, edhe kokainë për të arritur rezultatet:“Presioni ishte shumë i madh. Ai, drejtuesi i ekipit, më thoshte “nëse ata janë aq budallenj sa sa e hanë këtë, atëherë e meritojnë të humbin gjithçka”.
Punonjësit ishin mësuar të konkurronin me njëri-tjetrin për numrin e klientëve, për paratë e marra, dhe për numrin e personave që bindnin për të mos u tërhequr nga skema edhe kur ata donin të tërhiqeshin. Burimi i Exit News shpjegoi se si drejtuesi i tyre mburrej se në katër vjet nuk i kishte ikur asnjë klient. Në fakt, Exit News gjeti komente në forumet në rrjet ku drejtuesi i këtij call center-i, përmendej për presionin dhe mënyrën joetike me të cilën ai sillej me punonjësit dhe me klientët. Në këto forume gjeje edhe komente nga viktimat, personat e mashtruar, të cilët shkruanin se ata nuk kanë pasur mundësi të tërhiqnin paratë e tyre në asnjëri nga “investimet” e tyre. Exit gjithashtu ka edhe të dhëna se si punonjësit e këtyre call center-ave në Shqipëri vidhnin të dhënat personale të klientëve për të hapur llogari të rreme tregtare në Forex, për të vjedhur dhe për t'i dërguar paratë në llogari të rreme në pronësi të tyre në platformën Skrill. Provat përfshijnë edhe kopje të leternjoftimeve të klientëve dhe udhëzime se si të hapen llogaritë. Exit News vërtetoi se kompania në fjalë është larguar nga Shqipëria dhe po monitorohet nga Autoriteti i Sjelljes Financiare në Britani (FCA) për shkak të praktikave të tyre të biznesit. Një email i parë nga Exit News, detajonte të dhënat e dërguara tek FCA nga një bilbilfryrës, i cili detajonte raste të sjelljes joetike dhe të paligjshme.
