Sindikata e Shëndetësisë kundërshton lehtësimin e masave anti-COVID në Kosovë

exit.al 11 Shkurt 2021, 20:46

Sindikata e Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) e ka cilësuar si “të papranueshme” dhe “skandaloze” lehtësimin e masave nga qeveria në detyrë.

FSSHK ka kërkuar përgjegjësi kolektive dhe ka bërë thirrje për qyetarët që “të rujanë veten”.

Sipas Sindikatës, partitë politike nuk kanë prioritet shëndetin e njerëzve por “vetëm votën e tyre”.

“Apelojmë që IKSHPK dhe të gjithë ekspertët e shëndetësisë të distancohen nga veprimet politike vetëvrasëse dhe të mos jenë pjesë e vendimeve skandaloze për popullin e Republikës së Kosovës”, tha të enjten FSSHK.

Po ashtu Sindikata i bëri thirrje të gjitha mediave “që të mos jenë pjesë e kësaj kampanje antikombëtare, ne nuk mund të jemi sponsor tuaj, por ne mund të mbrojmë shëndetin tuaj”.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndryshuar masat kundër COVID-19 të enjten, duke kërkuar test negativ PCR për të hyrë në territorin e Kosovës, për çdo person që vjen nga vendet me risk të lartë.

Po ashtu  Kosova ka lehtësuar disa masa, si lejimi i tubimeve me 80 persona ose grumbullimi deri në 50 persona në hapësira të mbyllura.

Shpërndaje te miqtë