Si u përhap Covid-19 24 orët e fundit: 13 të infektuar në Shkodër

exit.al 13 Prill 2020, 10:58

21 pacientë të rinj me Covid-19 u zbuluan 24 orët e fundit mes 259 personave të testuar.

Kjo shifër është më e lartë krahasuar me një ditë më parë, kur u zbuluan 13 të infektuar.

Në total, numri i të infektuarve është 467.

Të infektuarit e rinj janë:

  • 6 në Tiranë, duke e çuar totalin në 221.
  • 13 në Shkodër duke e çuar totalin në 70,
  • 1 në Durrës, duke e çuar totalin në 42,
  • 1 në Has, duke e çuar totalin në 13.

Shkodra duket se është vatra më e rrezikshme e Covid-19 për momentin. Sipas gazetarit Simon Shkreli, janë disa vatra të reja infeksioni të personave pa kontakte me pacientë të mëparshëm: një punonjës i sigurisë së postës së Velipojës dhe dy pjestarë të një familje, nënë e bir.

Po ashtu, janë infektuar dhe një infermiere dhe 4 pacientë në spitalin rajonal të Shkodrës, 3 prejt të cilëve në repartin e reanimacionit dhe 1 me dializë.

Dyshohet se personi që ka përhapur Covid-19 në spital është infermieri i parë i infektuar, i cili i shërbeu të moshuarës 80-vjeçare. Kjo e fundit humbi jetën disa ditë më parë.

ISHP po vazhdon gjurmimin e kontakteve të të gjithë pacientëve të ditëve të fundit: të shtruarve në spital dhe stafit mjekësor të cilët kanë pasur kontakt me infermierët e infektuar, dy punonjëseve të fasonerisë, koordinatorit të OSHEE-së dhe familjes në lagjen Livadhas.

Për të infektuarit e rinj në Tiranë, Has dhe Durrës nuk ka ende detaje.