Si do të dalë Mbretëria e Bashkuar nga BE? — Exit shpjegon

exit.al 25 Qershor 2016, 13:48

Procesi i daljes së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut (MB) nga BE-ja është një ushtrim shumë i gjatë, i cili zgjat të paktën 2 vjet, por me gjasa mund të marrë 5-7 vjet.

Gjatë gjithë periudhës së negociatave, MB është e detyruar të zbatojë të gjithë legjislacionin e BE-së që është në fuqi, por ajo nuk mund të jetë pjesë më e vendim-marrjes brenda BE-së. Ligjet e reja që do miratohen ndërkohë nga BE nuk do të aplikohen mbi MB-në.

Procesi i daljes do të ndjekë këto hapa:

  • MB njofton zyrtarisht BE-në për vendimin e saj për t’u tërhequr nga Bashkimi, duke njoftuar se ajo do të ushtrojë të drejtën për t’u larguar parashikuar në Nenin 50 të Traktatit të Lisbonës.

  • Pas njoftimit, vendet anëtarë të BE takohen, pa praninë e MB-së, për të diskutuar e vendosur kushtet që do t'i ofrohen MB-së.

  • Fillojnë negociatat mes BE-së dhe MB-së për të hartuar projekt-marrëveshjen e largimit, e cila përcakton gjithashtu kushtet e marrëdhënies së re mes BE-së dhe MB-së në të gjitha fushat, përfshi marrëdhëniet tregtare.

  • Projekt-marrëveshja miratohet nga Këshilli Europian—mbledhja e krerë të qeverive të vendeve anëtare.

  • Marrëveshja e miratuar ngë Këshilli duhet të ratifikohet nga vendet anëtare — miratimi kërkon ratifikimin nga të paktën 20 vende anëtare, nga 27, por që përbëjnë së bashku jo më pak se 65 për qind të popullsisë së BE-së.

  • Marrëveshja duhet të ratifikohet nga Parlamenti Europian.

  • Parlamenti i MB-së çfuqizon ktin e themelimit të Komuniteteve Europiane të vitit 1972 dhe duhet të miratojë marrëveshjen e re arritur me BE-në.

  • Nëse i gjithë procesi i mësipërm nuk realizohet brenda 2 vjetësh, afati i negociatave shtyhet me miratimin e të 27 vendeve anëtare.

  • Nëse në përfundim të periudhës dy vjeçare, afati nuk arrin të shtyhet, të gjitha traktatet dhe ligjet e BE-së pushojnë menjëherë së vepruari mbi Mbretërinë e Bashkuar.

BE nuk e ndalon rianëtarësimin e një vendi që ka dalë më parë prej saj, por rianëtarësimi duhet të bëhet përmes procesit të zakonshëm të negocimit që zbatohet për vendet kandidate.

Shpërndaje te miqtë