Shqipëria merr €100 milionë kredi për sektorin bankar nga BERZH

exit.al 11 Qershor 2021, 15:50

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) miratoi të premten 100 milion euro kredi për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave. Kredia do të përdoret për të forcuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar në kontekst të krizës së koronavirusit.

Kredia, e garantuar plotësisht nga qeveria, do të sigurojë likuiditet rezervë pas ndikimit të rëndë të pandemisë Covid-19 në ekonominë e vendit, tha BERZH në një njoftim për shtyp.

Këto fonde, sipas BERZH do të jenë në dispozicion për të kompensuar të siguruarin depozituesit, duke siguruar klientët e bankave tregtare dhe private.

Presidenti i BERZH Odile Renaud-Basso u shpreh se marrëveshja e kredise “është një kontribut jetik në stabilitetin e sektorit financiar të Shqipërisë”.

Anila Denaj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, u shpreh se: “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon përfundimin me sukses të një procesi të gjatë bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare, ADIA dhe BERZH. Linja e kredisë në ndihmë të ADIA-s prej 100 milion eurosh tregon besimin dhe mbështetjen e BERZH për ekonominë shqiptare dhe institucionet e sektorit financiar".

Agjencia ka marrë edhe  270,000 euro nga Fondi i Bashkëpunimit Teknik të Ndihmës Zyrtare të Zhvillimit të Luksemburgut për forcimin e kapacitetin operativ dhe qeverisjen e saj.