Shqipëria, i vetmi vend në Evropë që pret 5 herë më shumë pemë se sa mbjell

exit.al 30 Janar 2018, 13:46

Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që pret pemë më shumë se sa mbjell. Ndryshe nga çdo vend tjetër në Evropë, në Shqipëri priten deri në 5 fish më tepër pemë se sa mbillen. [caption id="attachment_34308" align="aligncenter" width="960"] Grafiku që tregon raportin e prerjes dhe mbjelljes së pemëve - Grafiku realizuar nga Abdulla Diku[/caption] Shifrat e publikuara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit tregojnë se në vitin 2010, viti i fundit për të cilat ka të dhëna zyrtare, në Shqipëri u prenë 5,5 herë më tepër sipërfaqe me pyje krahasuar me sipërfaqet që u mbollën. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që raportin e sipërfaqes së pyjeve të prera me atë të pyjeve të mbjella e ka më të lartë se 1, çka bën që sipërfaqja e pyllëzuar ndër vite të ulet. Në pjesën tjetër të Evropës, ky raport është relativisht i qëndrueshëm dhe mbetet nën 0.8, rezultat ky që ka lejuar rritjen e sipërfaqeve të mbjella dhe numrin e pyjeve në total. Shqipëria, gjithashtu, ndër vite ka rritur ndjeshëm prerjen e pyjeve dhe në krahasim me veten. Kështu:

 - Në vitin 1990 Shqipëria priste 2.4 herë më shumë sipërfaqe me pyje krahasuar me sipërfaqet që u mbollën;

 - Në vitin 2000 Shqipëria priste afro 3 herë më shumë pyje krahasuar me sipërfaqet që u mbollën;

 - Në vitin 2010 Shqipëria priste 5.5 herë më shumë pyje krahasuar me sipërfaqet që u mbollën.

Në vitin 2015, Këshilli i Ministrave, si përgjigje ndaj shpyllëzimit, miratoi moratoriumin 10 vjeçar të pyjeve, i cili hyri në fuqi në shkurt 2016. Në bazë të këtij moratoriumi ndalohet prerja, shfrytëzimi dhe tregtimi i pyjeve, përveçse në rastin e plotësimit të nevojës së qytetarëve për dru zjarri. Shkeljet e këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, dëri në pesë milionë lekë. Po sipas moratoriumit, qeveria duhet të nisë aksione për të përmirësuar situatën e pyjeve në vend. Shpërndaje te miqtë