Miratohet raporti për shkarkimin e Metës me 104 vota pro

exit.al 9 Qershor 2021, 13:55

Kuvendi miratoi raportin për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta me 104 vota pro, të mërkurën. Ndërsa 7 deputetë votuan kundër shkarkimit dhe 2 deputetë abstenuan.

Procedura për shkarkimin e Metës u nis nga 49 deputetë socialist mbi pretendimin e shkeljes së Kushtetutës. Kuvendi miratoi kërkesën e tyre për ngritjen e Komisionit Hetimor. Komisioni Hetimor, pas miratimit të raportit i propozoi Kuvendit argumentat për shkarkimin e presidentit, një javë më parë.

Tani vendimi i Kuvendit duhet të shkojë brenda 5 ditëve në Gjykatën Kushtetuese.

Si e shkarkon Gjykata Kushtetuese, Presidentin?

Fillimisht Gjykata Kushtetuese vendos me shumicë votash, pra 5 anëtarë që ta shqyrtojë kërkesën në seancë plenare.

Në seancën plenare duhet të marrin pjesë të paktën ⅔ e anëtarëve, pra 6 anëtarë, dhe duhet të jetë publike.

Gjyakta duhet të vendosë me shumicën e anëtarëve, pra me të paktën 5 anëtarë për ta shkarkuar Presidentin.

Duhet theksuar se arsyet për shkarkimin e presidentit, pra shkelja e rëndë e Kushtetutës dhe krimi i rëndë nuk janë të përcaktuara as në ligj dhe as në intepretime nga Gjykata Kushtetuese.

Pra, Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë jo vetëm kushtetueshmërinë e procesit që është ndjekur për shkarkimin e presidentit por edhe do të interpretojë nëse ka shkelje dhe nëse ato janë të rënda.