Ambasada Amerikane, Shqipëria në paketën 100 milionë dollarë ndihma kundër koronavirusit

exit.al 20 Mars 2020, 18:10

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përfshirë Shqipërinë në paketën prej 100 milionë dollarësh ndihma premtuar vendeve të prekura nga koronavirusi për të përballuar situatën. Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Youri Kim, e njoftoi këtë përmes një postimi në Facebook ku u shpreh se:

“SHBA-të kanë premtuar deri në 100 milionë dollarë për të ndihmuar Shqipërinë si një shtet mik dhe të tjerët, të cilët janë prekur nga koronavirusi.”

Ndihma synon ndërtimin e kapaciteteve dhe forcimin e infrastrukturës përballuese.

“Ne do ta kapërcejmë këtë bashkë – si gjithmonë. Jemi ende me Shqipërinë!”

Deklarata e Ambasadores Kim u përshëndet nga kryetari i PD-së, Basha, Presidenti Meta dhe kryetari i grupit parlamentar socialist Balla. Prej datës 2 mars SHBA-të kanë dhënë 37 milionë dollarë ndihma për 25 shtete të prekura nga koronavirusi. Më 18 mars u vendos për një fond shtesë prej 62 milionë dollarësh ku objektiv kryesor ishin mbështetja me materiale dhe produkte mjekësore.