SHBA-të mund të lehtësojnë masat kufizuese nga Covid-19 muajin e ardhshëm

exit.al 12 Prill 2020, 16:23

Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikojnë se pas muajit prill situata e pandemisë mund të qetësohet disi dhe kjo mund të sjellë lehtësimin e masave kufizuese.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, tha të dielën se është e mundur që disa shtete të SHBA-ve të rihapin aktivitetet "mundësisht në muajin maj".

Megjithatë Fauci pohoi se pas kufizimit të epidemisë ka gjithmonë rrezik që infeksioni i Covid-19 të shpërthejë sërish dhe kjo mund të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Në SHBA, pjesa dërrmuese e shteteve kanë shpallur gjendjen e emergjencës duke kufizuar lëvizjet dhe aktivitetet, kjo si mënyrë për të ndalur përhapjen e epidemisë së koronavirusit.

Deri të dielën, 12 prill, SHBA-të raportuan mbi 530 mijë persona të infektuar me Covid-19, prej të cilëve mbi 20 mijë kishin vdekur.