Rreth 12 mijë jetë të shpëtuara nga vaksinat kundër COVID-19 në Angli

exit.al 14 Maj 2021, 18:58

Vaksinimi kundër COVID-19 në Angli ka parandaluar rreth 12 000 vdekje dhe më shumë se 30 000 të moshuar nga shtrimi në spital, tha të premten agjencia qeveritare e Shëndetit Publik në Angli (PHE).

Dy të tretat e popullsisë mbi 18 vjeç në Britani kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19.

Sipas analizës së PHE, deri në fund të prillit, programi i vaksinimit kundër COVID-19 ka parandaluar 11 700 vdekje tek njerëzit e moshës mbi 60 vjeç në Angli. Gjithashtu është shmangur shtrimi në spital i rreth 33 000 personave të moshës 65 vjeç e lart.

"Vaksina tashmë ka shpëtuar kaq shumë jetë dhe ne tani mund të shohim ndikimin e madh që ajo ka pasur në parandalimin e njerëzve që të sëmuren rëndë", tha Mary Ramsay, shefe e imunizimit në PHE.

Ka pasur 127.640 vdekje në Britani nga COVID-19 - numri i gjashtë më i lartë i vdekjeve në mbarë botën, sipas një analize të Reuters.