Rezoluta e PPE i kërkon qeverisë të zbatojë opinionin e Venecias për reformën zgjedhore

exit.al 7 Dhjetor 2020, 19:08

Partitë Popullore Europiane(PPE) i kanë kërkuar të hënën qeverisë shqiptare që të zbatojë opinion e Vencias për reformën zgjedhore

Përmes një rezolute të publikuar në 7 dhjetor partitë e djathta europiane, vlerësojnë si “jetike rëndësinë e zgjedhjeve të lira në përparimin në procesin e integrimit”.

Pjesë e PPE është edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, për të cilën në rezolutë thuhet se ka bërë përpjekje “për të mbështetur aspiratat europiane të qytetarëve shqiptarë”.

PPE ka bërë thirrje që të dënohen zyrtarët e partisë në pushtet të përfshirë në krime zgjedhore, referuar dosjeve të Prokurorisë nr. 184 dhe 339.

PPE e ka konsideruar të papranueshëm bllokimin e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë.

Rezoluta ka kërkuar “luftimin e pastrimit të parave të investuara në projektet e ndërtimit në rastet e Bashkisë së Tiranës”.

“Funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Larta dhe institucioneve të tjera të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent, ashtu sikundër progresi institucional i Reformës në Drejtësi është i pamjaftueshëm për sa kohë asnjë rast i korrupsionit të lartë nuk është dënuar apo sjellë përpara drejtësisë”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta adreson shqetësimin e Bashkimit Europian sa i përket Ligjit për Median të Dhjetorit 2019 dhe mosveprimit të qeverisë dhe Kuvendit pas opinionit përkatës të Komisionit të Venecias.

Shpërndaje te miqtë