“A ju kujtohet Sharra e maleve me plehra e zjarre, retë e helmeve mbi tërë zonën e Kombinatit dhe ujrat e helmuar prej degradimit nën diell e nën shi të mijëra tonelatave mbetje në mëshirën e fatit?! Shikojeni se si po fitohet beteja për Shqipërinë e pastër Europiane, mu në zemrën e vendit tone […] dhe gjykojini vetë lumenjtë e baltës së shpifjeve e të akuzave, që vazhdojnë kundër nismave tona në këtë drejtim ku për çerekshekuli nuk u bë asgjë!”
Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri sulmon zërat kundër ndërtimit dhe koncesioneve të inceneratorëve të mbetjeve. Në 24 shtator 2016, Kryeministri Rama në Facebook, shkroi:“Çfarë po u thuhet sot njerëzve nga sharlatanët politikë e mediatikë, për ligjin e ri të mbetjeve, është një shpifje që synon t’u fusë frikën dhe t’i përdorë kundër qeverisë!”
Në 29 shtator 2016, Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste me gazetarin Blendi Fevziu deklaroi:“Ju [media] jeni një kërcënim i madh sepse të nxjerrësh gjëra të tilla dhe të alarmosh publikun me padijen tuaj është kriminale. Fut në panik të gjithë njerëzit me një gënjeshtër.”
Në 23 janar 2018, Kryeministri Rama, në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo’, deklaroi:“E kemi tërhequr [ligjin për importin e plehrave] për një arsye të thjeshtë, për të mos lejuar intoksikimin deri në verbëri të një pjese të opinionit nga të gjithë matrapazët e plehrave që bëjnë politikë me plehrat dhe pleh me politikën.”
Vitin e fundit, qeveria ka dhënë me koncesion ndërtimin e tre impianteve të mëdha djegëse (incineratorëve), në Elbasan, Fier dhe Tiranë, dhe një sërë koncesionesh të tjera për landfille. Shpërndaje te miqtë
