Rama paraqet planin e daljes së vendit nga shtetrrethimi

exit.al 16 Prill 2020, 23:13

Kryeministri Edi Rama tregoi planin paraprak të daljes së vendit nga shtetrrethimi. I ftuar në emisionin “Opinion”, Kryeministri nuk dha një datë të caktuar por tha se hapja e vendit do të ndodhë kur të miratohen ndryshimet e Kodit Penal. Ai tha se ka marrë shembull planin e Austrisë.

Plani i qeverisë për ringjalljen e ekonomisë është:

Në fazën e parë do të hapen bizneset me risk të ulët. Në këto biznese bëjnë pjesë shitjet me pakicë në dyqanet e specializuara, veshmbathje, taksi me një person, tregtia e tekstileve, këpucëve, ndriçim, orët, bizhuteritë, audio, qilima, lojrat për fëmijë.

Në fazën e dytë do të hapen bizneset me risk të mesëm si transporti rrugor i pasagjerëve, tregtia me pakicë e mallrave të përdorura, artikuj të tjerë në tregje, shërbime arsimore mbështetëse, tregtia në pakicë në stenda e në tregje, vazhdon kështu një listë të gjatë.

Në fazën e tretë do të hapen restorantet, baret, aktivitetet argëtimit, çlodhëse, arsimi në të gjithë pjesët e veta, aktivitetet sportive, transporti ndërurban.

Qeveria ende nuk ka vendosur se kur do të mund të hapen qendrat estetike.

Të gjitha bizneset që do të hapen do të zbatojnë masat e distancimit social dhe të higjenës, sipas një protokolli të miratuar nga qeveria.