Rama fton 50 mjekë kosovarë të vaksinohen në Tiranë

exit.al 1 Shkurt 2021, 20:56

Qeveria shqiptare ftoi 50 mjekë të spitalit Covid19 të Prishtinës të vaksinohen në Tiranë. Ftesa u bë publike nga Kryeministri Edi Rama të hënën pas një bisede me gazetarët me rastin e ardhjes së 1170 nga 500 mijë dozat e marra nga kompania Pfizer.

Rama sqaroi se Shqipëria e ka të pamundur të dhurojë vaksina për Kosovën si pasojë e rregullave të vendosura në kontratë nga kompania Pfizer. Kryeministri tha se kompania Pfizer e ka detyruar atë të mbajë të fshehtë origjinën e vendit nga erdhën.

“Dua të sqaroj që rregullat tejet strikte dhe kufizimet e forta që kompania Pfizer ka vendosur, siç ka bërë që ne të mbetemi strikt për mbajtjen e origjinës nga erdhën, e bën të pamundur që ne të dhurojmë doza vaksinash”.

Mjekët kosovarë do të marrin të dyja dozat e vaksinës.

Më 1 janar, me rastin e firmosjes së marrëveshjes me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza të vaksinës, Kryeministri Rama premtoi se Shqipëria do t’i dhurojë Kosovës doza të vaksinës anti-Covid, me qëllim vaksinimin e mjekëve.

Shpërndaje te miqtë