Rama bën bilancin e vitit: Opozita po dëmton negociatat me BE-në

exit.al 29 Dhjetor 2017, 14:01

Kryeministri Rama ka biseduar sot me gazetarët për të bërë një bilanc të vitit 2017. Kryeministri foli për zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme, reformën në drejtësi dhe rastin e ish-ministrit Tahiri. Ndër të tjera, Kryeministri Rama akuzoi opozitën se po bën ç’të jetë e mundur për të bllokuar hapjen e negociatave me BE-në, një synim për të cilin qeveria po punon shumë:

“Besoj se konvulsionet opozitare kundër reformës në drejtësi, për të vonuar, penguar dhe bllokuar për muaj të tërë procesin e vettingut përpara zgjedhjeve dhe duke u rikthyer në formën e tentativës për ta transformuar zgjedhjen e ligjshme të Prokurores së Përgjithshme në një moment krize artificial, janë në dëm të interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në aspektin e çeljes së negociatave për anëtarësim.”

Disa nga deklaratat kryesore të zotit Rama janë: Për zgjedhjen e Kryeprokurores së përkohshme:

"Nuk kemi pasur asnjë paragjykim apo parapërcaktim sepse kandidaturat janë ofruar vetë."

"Për ne nuk ka pasur dilemë se duhet zgjidhur kjo çështje me votim."

"Misionet e SHBA e BE e kanë konfirmuar pozicionin tonë. Ne nuk është nuk e dinim si do të zgjidhej ngërçi dhe na e thanë amerikanët apo europianët. Që ne që në ditën e parë ishim në një mendje me ta."

Për reformën në drejtësi:

"Reforma në drejtësi është një nga obsesionet që unë kam pasur në kuptimin e  një prej pikave fikse në idenë time sesi mund dhe duhet ne të bëjmë shtet këtu."

"Reforma ka bërë përparim të konsiderueshëm. Institucionet e vettingut janë në punë me orë të plota dhe në fillim të vitit të ardhshëm do shikojmë rezultatet e para konkrete të pastrimit të Pallatit të Drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar."

"Sot jemi në kushtet e një tjetër simulimi të një krize artificiale dhe përsëri dhe kjo lidhet qartësisht me reformën në drejtësi dhe ecurinë e procesit të reformës dhe me pamundësinë e një pale për të pranuar pandalshmërinë dhe domosdoshmërinë e reformës në drejtësi."

Për bashkëpunimin me opozitën:

"Në çdo hap do bëj përpjekje për të dialoguar me kryetarin e PD-së dhe PS do të jetë e gatshme për të dialoguar. "

"Është detyrë e shumicës të shtrijë dorën për dialog dhe mirëkuptim, i ka apo si ka votat. Ne do ta bëjmë në vazhdimësi, por sigurisht do vazhdojmë të udhëheqemi dhe do marrim vendime, nuk do të mbetemi peng i taktikave të PD-së."

Për anëtarësimin në BE:

"Në këto 100 ditë, ne kemi përshkallëzuar  një aksion në shkallë të gjerë diplomatik për të siguruar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm dhe të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe pas  Vitit të Ri."

    Për çështjen e ish-ministrit Tahiri:

"Pyll pa derra nuk ka. Çdo derr duhet të përgjighet në rastin kur është i fshehur në kostumin e politikatin dhe të japë llogari para drejtësisë nëse në atë kostum ka abuzuar me besimin e publikut."

"Partitë nuk përgjigjen, as nuk mbajnë përgjegjësi nëse kanë apo nuk kanë derra mes tyre, por për mënyrën si reagojnë kur derrat zbulohen."

Shpërndaje te miqtë