Qeveria pretendon se aeroporti i Vlorës nuk do të ndërtohet në zonën e mbrojtur të Nartës

exit.al 4 Shkurt 2021, 16:25

Qeveria thotë se aeroporti i Vlorës nuk do të ndërtohet në zonën e mbrojtur të Nartës por do t’i japë zhvillim turizmit të gjithë qarkut.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi u shpreh se projekti parashikon investim në zonën ku dikur ka qenë aeroporti i vjetër dhe po shikohen mundësitë që të respektohen rregullat për mjedisin.

Klosi theksoi edhe se ndërtimi i aeroportit “do të prodhojë shumë të ardhura, mirëqenie edhe shumë të mira për vet komunitetin e kësaj zone dhe natyrisht për gjithë Shqipërinë”.

Kryeministri Rama ka premtuar ndërtimin e një aeroporti në Vlorë përpara tre vitesh ku disa herë janë dhënë afate kohore se kur do të nisë ndërtimi i tij.

Nga ana tjetër, 36 organizata në mbrojtje të mjedisit, vendase dhe të huaja, i kanë kërkuar qeverisë Rama që të anulojë ndërtimin e aeroportit të Vlorës, brenda zonës ‘Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë’. Ato e kanë  konsideruar projektin si “jo-miqësore me mjedisin” pasi sipas tyre “shkatërron në mënyrë të pakthyeshme resurset dhe vlerat natyrore të zonës”.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës

Qeveria Rama ka planifikuar të ndërtojë aeroportin e Vlorës në afërsi të Lagunës së Nartës, në zonën e quajtur Akërni, e cila ndodhet në brendësit të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Më 10 tetor 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin e tenderit për bërjen e studimit e bëshmërisë për aeroportin e Vlorës.

Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga konsorciumi turk.

Më 11 prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni për zhvillimin e Aeroportit të Vlorës. Ministria e Infrastrukturës njoftoi se do të zhvillohet një konkurs ndërkombëtar për të zgjedhur kompaninë e re

Deri më tani, dy tendera ndërkombëtarë të hapur për aeroportin, kanë dështuar.

Shpërndaje te miqtë