Qeveria greke kundër Sheshit Skenderbej: Ushqen nacionalizmin

exit.al 27 Qershor 2017, 16:00

Sipas medias greke Ekathimerini, Ministria e Jashtme greke dënon përfshirjen e gurëve nga territoret shqiptare të Çamërisë në Sheshin Skënderbej. Ministria greke e denoncoi vendosjen e gurëve si “veprim që ushqen nacionalizmin”:

"Ne e dënojmë vendosjen, në sheshin qendror të rindërtuar të Tiranës, të gurëve nga rajone të ndryshme të Ballkanit, përfshirë edhe nga rajoni grek i Filiates (një prej tre komunave të Çamërisë).

Këto gurë, ku shkruhen dhe rajonet e tyre të origjinës, përbëjnë një vepër që simbolizon "unitetin e territoreve shqiptare" dhe është qartë një veprim shtetëror që kultivon nacionalizmin."

Sipas qeverisë greke, projekti i hartuar nga Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është dëshmi e idesë së “Shqipërisë së Madhe” dhe do të jetë një “pengesë guri” për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE:

"Edhe sot, për fat të keq, mendimet e rrezikshme dhe të vjetëruara të shekullit të kaluar po dëmtojnë përparimin dhe begatinë e rajonit, duke krijuar një pengesë guri për të ardhmen evropiane të Shqipërisë."

Shpërndaje te miqtë