"Ne ndaluam nga puna dhe na thanë që po nuk erdhët me 1 prill në punë do hiqet siguracioni. Ne ndaluam ca ditë, tre –katër ditë por më njoftuan se ose do vish në punë ose do të largohesh nga puna."
Ajo sqaroi se në ambientin e punës nuk kishte asnjë kusht për të ruajtur higjienën dhe distancimin fizik nga njëri-tjetri:“Nuk kishte masa. Aty ku punoja, aty haja. S'kemi pasur as sapun te banjot. Një maskë na kanë dhënë përgjithmonë. Kur vinte kontrolli na shpërndanin, kur largohej kontrolli u mblidhnim bashkë dhe nuk ruhej distanca.”
Punonjësja tha se drejtuesit e fasonerisë nuk i kishin treguar atyre për kolegët me Covid-19:“Para një jave, na mori shoferi në telefon dhe na tha se nuk do shkojmë në punë se nuk ka ardhur kamioni. Pastaj me shoqet duke komunikuar morëm vesh që kanë rezultuar pozitve me Covid-19.”
Ajo u shpreh se ka frikë se mos është infektuar, pasi vjehrra dhe fëmija i saj kanë pasur temperaturë ditët e fundit. Vetë asaj i është marrë tamponi për analiza dhe po pret përgjigjen. Në dy fasoneritë e Krujës, të cilat vazhduan punën deri më 15 prill, janë infektuar të paktën 59 qytetarë nga Kruja dhe 28 qytetarë nga Kurbini.
