Protesta të tregtarëve të vegjël në Tiranë

exit.al 10 Nëntor 2015, 08:55

Tregtarët e dy tregjeve të shitjes me pakicë në Tiranë, të njohura si tregu i Medresesë dhe tregu çam, kanë protestuar këtë mëngjes kundër administratës fiskale.

Dhjetra tregtarë janë mbledhur për të kundërshtuar gjobat e mëdha që administrata fiskale ka vendosur të aplikojë edhe për parregullsitë më të vogla. Sipas tyre, kjo politikë gjobash do t’i çojë tregtarët e vegjël me pakicë drejt falimentimit të sigurtë.

Në mënyrë të veçantë ata kanë kundërshtuar detyrimin për vendosjen e kasave fiskale si dhe rregullat për të mbajtur inventar magazine.

Sipas tyre, ata nuk kanë mundësi dhe aftësi për këtë organizim të ndërlikuar.

Një prej tyre e shprehu kështu mënyrën e të bërit biznes: “biznesi jonë është bli me 5 lekë e shit me shtatë e në fund të muajit bëj llogarinë për të parë si ke dalë.”

Protestuesit kanë akuzuar jo vetëm qeverinë por edhe opozitën që nuk kundërshton këto masa shtrënguese të qeverisë.