Prokuroria heton rrjedhjen e gazit në shkollë, dy të akuzuar

exit.al 21 Janar 2021, 11:42

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për drejtorin dhe inxhinierin e shkollës, ku një ditë më parë pati rrjedhje gazi dhe u helmuan të paktën 6 nxënëse.

Ata janë referuar në prokurori nga policia, e cila ka gjetur se në shkollë është instaluar sistemin e kaldajës me gaz, pa marrë më parë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial.

Sipas hetimeve, njëra prej depozitave të gazit ka qenë e tejmbushur dhe gazi ka rrjedhur.

Drejtori dhe inxhinieri akuzohen për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘shkelje e rregullave për lëndët djegëse plasëse dhe radioaktive’.

Një ditë më parë, në një shkollë jo publike në zonën e Don Boskos në Tiranë, pati rrjedhje gazi në sistemin e ngrohjes. Për shkak të daljes së gazit në ajër, 6 nxënëse janë helmuar. Ato u shoqëruan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Shpërndaje te miqtë