"Bashkëpronari, para se t’ia shesë pjesën e vet në sendin e paluajtshëm një personi që nuk është bashkëpronar, detyrohet të njoftojë me shkrim bashkëpronarët e tjerë nëse dëshirojnë të blejnë pjesën me të njëjtat kushte që do t’ia shesë personit të tretë."
E drejta e parablerjes është kufizimi i vetëm i të drejtës së pronarit për t'ja shitur sendin kujt dëshiron, me qëllim ruajtjen e mirëmbajtjen e pronës nga të njëjtët bashkëpronarë. Kusht i domosdoshëm i kësaj të drejte është bashkëpronësia midis palëve private. Projektligji i detyron pronarët t'ja japin pronën e tyre ose një pjesë të saj shtetit, pavarësisht se ai nuk është bashkëpronar me ta. Një tjetër parashikim i projektligjit është ndalimi i zhvillimit të pronës nga pronari.Neni 22 i ligjit ndalon “dhënien e lejeve të ndërtimit në bregun e detit, me përjashtim të kontratave koncensionare/PPP, investimeve strategjike dhe ndërtimeve për infrastrukturë publike” Kështu nëse pronari kërkon që të ndërtojë qoftë edhe një banesë për veten e tij në këtë tokë, ai nuk mund ta realizojë këtë gjë, pasi qeveria i ka kufizuar lejet e ndërtimit vetëm në projekte të mëdha të ashtuquajtura strategjike ose në zhvillime përmes kontrata koncesionare me shtetin—nuk është e qartë se çfarë lloj koncesioni mund të marrë dikush në tokën e tij private. Sërish kjo ndërhyn në të drejtën e pronarit për të gëzuar lirisht pronën e tij. Në lidhje me ndalimin për të ndërtuar mbi një tokë, për një kohë të gjatë, GJEDNJ është shprehur se kjo përbën shkelje të nenit 1 Protokollit 1 të KEDNJ. Në çështjen Porrong dhe Lönnroth kundër Suedisë, Gjykata shprehet:"ndalimi i ndërtimit me afat të gjatë, përbën një shkelje të së drejtës së pronës, e garantuar nga neni 1 i Protokollit 1."
Që prej vitit 2015, qeveria Rama përmes një sërë ligjesh si ligjet e Partneritetit Publik-Privat, të investimeve strategjike dhe të turizmit, të Koorporatës së Investimeve Strategjike, të shpronësimit publik —ka patur qëllim të vetëm kryerjen e disa operacioneve në favor të klientëve të tyre dhe nuk janë në të njëjtën linjë me ligjet europiane. Kjo gjë u konfirmua nga dhënia e statusit investim strategjik i një sërë investimeve të dyshimta vendase në bregdet, të cilat nuk kanë asnjë interes publik—si rrjedhojë, qeveria i dha investitorëve lehtësirave në infrastrukturë dhe një pjesë të bregdetit (publik) pa asnjë kosto. Kjo duket se është strategjia e vërtetë afatshkurtër e qeverisë për investimet: mbajtja në fuqi, sa të jetë e mundur, e ligjeve që ligjërojnë kalimin klientelist të pasurive publike tek bizneset me lidhje me qeverinë. Shpërndaje te miqtë
