“Policia që duam” në shërbim të bandës Habilaj

exit.al 23 Nëntor 2017, 18:00

"Faleminderit drejtuesve [..] dhe Saimir Tahirit për këtë rezultat kaq inkurajues në rrugën e Rilindjes. [...]kjo është policia që duam për Shqipërinë e ligjshmërisë dhe qytetarisë."

"Policia sot sulmohet, sepse nuk i shërben askujt tjetër përveçse ligjit."

"Në këto tre vite besoj se mund të jemi krenarë për ç’ka kemi bërë, për ta rilindur Policinë e Shtetit. Lufta me krimin drogën dhe trafikun dhe për sigurinë e qytetarit është sot sikur nuk ka qenë kurrë më parë edhe më e mirë do të bëhet."

Kështu shprehej Kryeministri Rama për punën e policisë së Shetit nën drejtimin e Saimir Tahirit. Ai e kthehu në moto të tij shprehjen “Policia që duam”, si shembull për arritjet e mëdha të qeverisë në luftën kundër krimit dhe drogës. Por mjaftoi një hetim i Prokurorisë së Katanias për të shkërmoqur “Policinë që duam”. Deri më tani, vetëm nga përgjimet e dosjes Habilaj tetë funksionarë të qeverisë, ndër to ish-ministri i Brendshëm Tahiri dhe ish-Zëvendësministrja e Brendshme Gjebrea, si dhe 6 punonjës të lartë të policisë janë nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ato akuzohen se me veprimet apo mos veprimet e tyre kanë lejuar veprimtarinë kriminale të grupit të Habilajve.

 - Saimir Tahiri, ish-Ministër i Brendshëm

 - Elona Gjebrea, ish-zëvendësministre e Brendshme

 - Edi Merkaj, Drejtor i Shërbimit të Brendshëm të Kontrollit

 - Jeald Çelaj, ish-shef i Policisë në Vlorë,

 - Alban Çelaj, ish-shefi i Policisë Shkodër

 - Gjergji Kohila, shef i krimeve Vlorë

 - Enkeleg Gregu, ish-drejtor i Postës së Policisë Selenicë

 - Sokol Bode, ish-shef i Policisë Kufitare Dhërmi

Shpërndaje te miqtë