Perëndimi dënon burgosjen e dy figurave të opozitës në Bjellorusi

exit.al 6 Shtator 2021, 21:17

Dënimi me mbi 10 vjet i dy udhëheqësve të opozitës në Bjellorusi të hënën nxiti reagimin e vendeve të perëndimit, të cilët dënuan me tone të ashpra abuzimin me të drejtat e njeriut.

"BE dënon mosrespektimin e hapur të vazhdueshëm, nga regjimi i Minskut, i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të popullit të Bjellorusisë," tha zëdhënësi i Bllokut në një deklaratë.

Në pothuajse të njëjtat fjalë, Shtetet e Bashkuara e quajtën vendimin të motivuar politikisht, dëniminin si "të turpshëm" dhe akuzat si të rreme.

"Këto dënime janë dëshmi të tjera të shpërfilljes totale të regjimit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të popullit të Bjellorusisë," tha Blinken në një deklaratë.

Edhe Polonia dënoi vendimin si një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut që synojnë të frikësojnë popullin e Bjellorusisë. "Ky shtypje nuk duhet të mbetet pa përgjigje," tha zëvendës ministri i jashtëm, Marcin Przydacz në Tëitter.

Maria Kolesnikova dhe Maxim Znak, dy figura kryesore të opozitës bjelloruse janë dënuar respektivisht me 11 dhe 10 vite burg të hënën.

Kolesnikova, 39 vjeç, u arrestua në kufirin ukrainas në shtator. Ajo ishte një nga udhëheqëset e protestave  kundër Presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko vitin e kaluar pas zgjedhjeve presidenciale të gushtit 2020, për të cilat protestuesit thonë se u manipuluan në favor të Lukashenkos.

Kolesnikova dhe Znak, u akuzuan për ekstremizëm dhe përpjekje për të marrë pushtetin në mënyrë të paligjshme. Të dy mohuan akuzat dhe Kolesnikova i quajti ato absurde.

Gjyqi ndaj tyre filloi muajin e kaluar dhe u ndalua për publikun për arsye sigurie kombëtare. Provat, hetuesit dhe dëshmitarët nuk u zbuluan.