Apeli Administrativ rikthen koncensionin e anulluar Thumanë-Kashar

exit.al 6 Shtator 2021, 20:26

Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur të rikthejë koncesionin anuluar për ndërtimin e segmentit Thumanë-Kashar.

Ministria e Infrastrukturës e anulloi koncesionin në janar të 2019 duke cituar mungesë fondesh. Por vendimi u kundërshtua nga kompania Gener 2, e cila ngriti padi.

Fillimisht, kompania u shpall fituese për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës për 13 vjet në 2018, vlera e ndërtimit të të cilit u llogarit 225 milion euro.

Kompania “Gener 2” përveçse kishte ofertën më të ulët në tender, hyri dhe e favorizuar në garë, pasi mori 8,5 pikë bonus nga qeveria duke qenë se bëri një “propozim të pakërkuar” për  dhënien me koncesion të këtij aks rrugor.

Rreth 8 muaj pas anulimit të koncesionit, Ministria e Infrastrukturës tregon në një raport të saj se rruga në të vërtetë kishte kosto 169,3 milionë euro.

Studimi i fizibilitetit të rrugës tregoi se kostoja e ndërtimit të saj realisht ishte 169,3 milionë euro, ndërkohë që qeveria kishte parashikuar ta jepte me koncesion për 330 milionë, përshi edhe kostot e mirëmbajtjes.

Rruga prej 20.4 kilometrash nga Kashari në Thumanë është pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane, pjesë e së cilës është edhe segmenti prej 15 kilometrash Milot-Balldren, dhënë me koncesion kompanisë ANK për 300 milionë euro.

Vendimi tashmë mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë.

Rruga Thumanë-Kashar ishte pjesë e koncesioneve që kanë qënë në qendër të kritikave, nga media dhe opozita, për koston e lartë të ndërtimit për kilometër dhe të fryrjes së kostove të mirëmbajtjes.