"Zoti Basha pretendon se me anë të një gare të rremë të kthehet nga humbës në fitimtar. I bëj thirrje Zotit Basha të ndërpresë paligjshmërinë dhe pengmarrjen e PD-së. Të kuptojë se demokratët do të mbrojnë partinë e tyre nga pengmarrja."
Jozefina Topalli, e lënë jashtë listave për deputete, e quajti Lulzim Bashën “katastrofë të PD-së":“Rrëzoi në gjunjë partinë dhe i dha ndihmën më të madhe Edi Ramës. Ndaj ringritja e PD –së fillon me largimin e Zotit Basha.”
Zonja Topalli kërkoi organizimin e një garë të ndershme dhe të barabartë për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së, të parashikuara për t'u zhvilluar më 22 korrik.“Zoti Basha nuk pranon barazi në garë, proces të hapur dhe transparent, nuk pranon konkurrentë të denjë. Ai tmerrohet nga forumet sepse tmerrohet nga e vërteta.
Kërkojmë një garë të barabartë, rregulla të ndershme, konkurrencë të denjë e debat. Këto janë kushte të panegociushme të procesit. Pa këto kushte nuk mund të ketë garë.”
Disa prej mediave shkruajnë se Zonja Topalli do të shpallë së shpejti kandidaturën për kryetare e PD-së, por në konferencën e sotme ajo nuk e deklaroi një gjë të tillë. Deri më tani në garë për drejtimin e PD-së janë Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Shpërndaje te miqtë
