PD njofton ankimin e vendimit të prokurorisë së Dibrës për dosjen 184

exit.al 19 Dhjetor 2020, 14:21

Partia Demokratike njoftoi se do të ankimojë vendimin e prokurorisë për dosjen 184, e njohur si dosja e vjedhjes së votave në zgjedhjet e 2016-ës në Dibër.

Në një letër zyrtare, PD I kërkon prokurorisë së Dibrës një kopje të vendimit të saj.

“Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, e bëri kërkesën me cilësinë e kallëzuesit 4 vjet më parë të krimit të blerjes së zgjedhjeve në Dibër.

Partia Demokratike theksoi se drejtësia nuk bëri drejtësi me dosjen 184 dhe pushimin e çështjes për urdhëruesit e manipulimit të zgjedhjeve, duke nisur me Edi Ramën.” thuhet në njoftimin e PD-së.

Ditën e premte, Prokuroria  përfundoi hetimet për dosjen 184 pas më shumë se 3 vitesh. Prokuroria ka ngritur akuzë vetëm për 4 përrsona ndërsa për pjesën tjetër të të dyshuarve të përfshirë në këtë çështje është kërkuar pushimi i çështjes.

Konkretisht të pandehur janë:

  1. Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, i akuzuar për shpërdorim detyre;
  2. Drini Gjeçi, ish-drejtor i arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve;
  3. Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrative Tomin, akuzuar për shpërdorim detyre
  4. Hasan Hoti, Njësia administrative Lurë, akuzuar për kanosje të zgjedhësve

Prokuroria ka kërkuar pushimin e çështjes Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli, me argumentin se për këta persona është parashkruar vepra penale e shitblerjes së votave pasi kanë kaluar 3 vite.

Në shtator 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda kaloi hetimet për “Dosjen 184” në prokurorinë e Dibrës. Ky kalim u bë në shkelje të ligjit.

Në janar 2020, SPAK konfirmoi vendimin dhe nuk pranoi të merrte çështjen për shqyrtim.

Megjithëse dosja 184 përfshin përgjime të ish-Ministrave Tahiri, Gjiknuri dhe deputetë socialistë në biseda me policë, biznesmenë dhe persona të dyshimtë të cilët angazhohen për të siguruar vota në mënyra të paligjshme për zgjedhjet në Dibër, – SPAK nuk pranoi ta shqyrtojë atë. (Kliko këtu për t’i dëgjuar përgjimet.)

 

Shpërndaje te miqtë