PD i përgjigjet Ballës: Qeveria e kapur nga mafia

exit.al 25 Janar 2021, 13:03

Partia Demokratike iu përgjigj, të hënën, akuzave të Taulant Ballës, i cili akuzoi Bashën e Metën si të lidhur me personazhet e përfshirë në skandalin e Ndranghetës. Në një konferencë për shtyp, ish-deputetja Jorida Tabaku u shpreh se përpjekjet patetike të Ballës për të hedhur fajin tek opozita nuk do të funksionojnë më. Tabaku tha se me përgjimet e Ndranghetës ‘doli në dritë një korrupsion në shkallë të gjerë në Shqipëri, korrupsion galopant i udhëhequr nga mafia dhe i ushtruar me miratimin e Erion Veliajt dhe Edi Ramës.’ Ajo tha se Rama dhe Veliaj heshtin sepse janë të lidhur me grupin mafioz:

“Janë 1000 faqe përgjime të antimafias italiane, ku përshkruhet mënyra sesi bëhen pazaret për tenderat, koncesionet, PPP-të dhe ndërtimet në Shqipëri. 20%-shi është pjesa për pushtetin e Edi Ramës, dëshmi e gjallë e asaj që po ndodh në Shqipëri prej 8 vjetësh.

Arsyeja pse Rama nuk flet dhe Veliaj po shmang përgjigjet e vërteta dhe po justifikohet është e qartë për të gjithë. Ata e dinë se sa thellë janë futur në këtë biznes me mafian.”

Tabaku tha se për shkak të lidhjeve të qeverisë Rama me mafian, vendi po përballet sot me largimin e të rinjve, të cilët nuk gjejnë asnjë mundësi për të ardhmen e tyre. “Kundrejt rryshfetit 20%, Edi Rama dhe kukulla e tij në bashki e kanë shndërruar vendin në një parajsë për pastrimin e parave, duke dhunuar ligjin dhe duke shkatërruar konkurencën,” u shpreh ajo. Tabaku premtoi se në 25 prill, ‘historia e një qeverie që punon për 20%-shin e mafias dhe të korrupsionit do të marrë fund.’ Më herët të hënën, Taulant Balla deklaroi se emrat e përmendur në përgjimet e Ndranghetës janë miq të Bashës e Metës dhe se këto të fundit duhet të pyeten nga prokuroria.   Shpërndaje te miqtë