PD akuzon Veliajn për abuzime me tenderin e shkollës 'Sami Frashëri'

exit.al 29 Tetor 2020, 10:08

Partia Demokratike ka akuzuar kryebashkiakun Veliaj se gënjen kur thotë që shkolla ‘Sami Frashëri’ do të ndërtohet me fondet e Bashkimit Europian. Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputetja Jorida Tabaku deklaroi se shkolla do të ndërtohet me paratë e taksapaguesve:

“Erion Veliaj gënjen. Kjo shkollë nuk ndërtohet nga fondet e Bashkimit Europian por nga paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe të Shqipërisë.

Ky është një fakt që vërtetohet si nga dokumentet e Bashkimit Europian dhe të UNDP-së, por njëkohësisht dhe nga tabela që është shfaqur vetëm dje në hyrje të shkollës.”

Tabaku akuzoi Veliajn për abuzime me paratë e taskapaguesve, duke rritur ndjeshëm koston e ndërtimit të shkollës. Sipas saj, vlera e kësaj shkolle pritet që të jetë rreth 4.5 milion euro ndërkohë që shkollat e ngjashme me fondet e Bashkimit ndërtohen vetëm me 700 mijë euro. Ish-deputetja theksoi se rasti i shkollës ‘Sami Frashëri’ është një provë e gënjeshtrave, e korrupsionit, e babëzisë dhe abuzimit me pushtetin të Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Shpërndaje te miqtë