PD akuzon Ramën se po keqpërdor reformën territoriale për të punësuar militantët socialistë

exit.al 11 Gusht 2020, 14:01

Partia Demokratike akuzoi të martën qeverinë Rama se e ka përdorur reformën territoriale për të punësuar në bashki militantët socialistë. Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, Mateo Spahiu deklaroi se në dy vite, shtimi i punonjësve në pushtetin lokal i ka kushtuar qytetarëve 92 milionë euro më shumë:

“Vetëm në dy vjet, 2017-2019, janë paguar nga taksat e qytetarëve rreth 92 milionë euro për më shumë se 8100 punonjës shtesë me kontratë të përhershme, veçanërisht në pushtetin lokal.

Një nga arsyet madhore të reformës territoriale ishte reduktimi drastik i shpenzimeve, por punësimi i militantëve në administratën lokale ka sjellë rritjen me 92 milionë euro në 2 vjet të kostos së rrogave të tyre.”

Sipas Spahos, këto para për rrogat e militantëve dalin nga taksat dhe tarifat që bashkitë u vënë dyqaneve të vogla, familjeve, lokaleve, punishteve dhe qytetarëve, dalin nga gjobat e padrejta dhe faturat e larta. Sipas PD-së, kryebashkiakët socialistë kanë rritur me 15 për qind numrin e drejtuesve të lartë nëpër bashki, ndërkohë që kanë ulur më 3 për qind numrin e teknikëve dhe specialistëve, të cilët janë më të nevojshëm për punët në shërbim të qytetarëve: “Është rritur gati me 15% numri i nëpunësve të lartë dhe drejtuesve. Këta janë njerëzit që ngrohin karriget e zyrave, nuk bëjnë asnjë punë dhe sjellin njerëzit vërdallë. Në vend që në bashkitë e Shqipërisë të kishim më shumë teknikë që zgjidhin probleme konkrete, kemi militantë partie. Kemi më shumë drejtorë dhë më pak specialist.” PD tha se kjo është stratëgjia e qeverisë Rama për të blerë vota në këmbim të vendeve të punës për militantët. Shpërndaje te miqtë