
“I dashur Edi”
Kështu e nisi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaratën e saj në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin shqiptar Edi Rama më 30 shtator. Ajo vijoi:
Është kënaqësi të rikthehem. Dhe ju keni punuar fort për ta kthyer në realitet ëndrrën evropiane të Shqipërisë. Ndaj mesazhi im i parë është i thjeshtë: synimi është pranë. Shqipëria është ndër vendet që prijnë në procesin tonë të anëtarësimit.
Që nga vizita ime e fundit këtu, Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. Hapët grupkapitullin e fundit të negociatave. Dhe në korrik mbyllët tre kapitujt e parë. Përfshirë marrëdhëniet me jashtë. Ky është një përparim i rëndësishëm. Kjo do të thotë se Shqipëria është plotësisht në përputhje me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Ne e shohim botën me të njëjtët sy dhe kjo është shumë e rëndësishme për procesin e anëtarësimit. Ne qëndrojmë së bashku kur vlerat dhe interesat tona vihen në pikëpyetje.
Megjithatë, ditët e fundit është bërë gjithnjë e më e qartë se, ndonëse von der Leyen dhe Rama mund ta shohin botën me të njëjtët sy, ata sy nuk janë sytë e popullit.
Dhe se, kur Presidentja e Komisionit Evropian flet për përputhje në politikën e jashtme dhe të sigurisë, kur flet për “vlerat dhe interesat tona”, këto nuk janë vlerat dhe interesat e popullit shqiptar.
BE-ja nuk interesohet për Shqipërinë për shkak të qytetarëve të saj dhe dëshirës së tyre për një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre, që është në fakt arsyeja kryesore pse shumica e shqiptarëve e mbështesin BE-në.
Përkundrazi, BE-ja është shumë më e interesuar ta përdorë Shqipërinë si zonë tampon për sigurinë e vet, ku Frontex-i ka dorë të lirë të godasë emigrantë “të paligjshëm”, ndërkohë që kontrollon edhe të drejtën e shqiptarëve për të udhëtuar në zonën Shengen.
BE-ja interesohet gjithashtu për Shqipërinë si terren eksperimentimi për “zgjidhjen” e të ashtuquajturit “problem të emigrantëve”, me qëllimin për ta kthyer modelin e kampeve të paligjshme në Shëngjin dhe Gjadër, të ngritura nga qeveria e Melonit, në një sistem më të gjerë europian për grumbullimin dhe ekstradimin e paligjshëm të azilkërkuesve drejt vendeve të treta “të sigurta”.
Mospërputhja mes BE-së dhe popullit shqiptar është bërë edhe më e theksuar nga deklaratat e fundit të Komisionit Evropian dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë, të cilët nuk e dënuan aspak dhunën ekstreme të policisë ndaj adoleshentëve dhe studentëve që protestonin në rrugët e Shqipërisë kundër korrupsionit me përmasa marramendëse të përhapur kudo.
Këto nuk janë gabime gjykimi nga ana e Komisionit; janë shprehje e përputhjes mes BE-së dhe qeverisë Rama përballë protestave popullore që kërcënojnë synimet e secilës palë.
Komisioni Evropian deklaroi:
Dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvënien, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike e private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe përgjigjja ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe të jetë proporcionale.
Kjo pjesë e fundit, për dhunën “proporcionale” — pra, atë të policisë — u hoq nga deklarata e Delegacionit të BE-së, për ta bërë edhe më të qartë mbështetjen e tij për qeverinë:
Dënojmë fuqimisht përshkallëzimin e dhunshëm të protestës dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci.
Siç shihet në mbarë BE-në këto ditë, dhuna duket se ka sa të duash vend në demokraci, sidomos në ato momente kur klasës sunduese i duhet kujtuar se mandati i saj “demokratik”, aq shumë i trumbetuar, si të ishte dhënë nga qielli, nuk është i përjetshëm. (Pa folur këtu për faktin se von der Leyen nuk është zgjedhur vetë në mënyrë demokratike.)
Von der Leyenit dhe Ramës nuk u pëlqen t’ua kujtojnë këtë, por shqiptarët në rrjetet sociale e kanë kuptuar tashmë, siç e tregon postimi i mëposhtëm në Instagram:

Të rinjtë e kanë kuptuar fare mirë.
Përputhja mes qëndrimit të Komisionit Evropian të drejtuar nga von der Leyen dhe Kryeministrit Rama duket edhe tek i vetmi argument që Rama ka përdorur vazhdimisht për të justifikuar mbajtjen e pushtetit: anëtarësimi në BE.
Megjithatë, Rama nuk dëshiron anëtarësimin në BE sepse beson se do t’i sjellë dobi popullit shqiptar, por sepse beson se është e vetmja gjë që do ta mbajë në pushtet. Kjo do t’i sigurojë burime të reja të ardhurash për të mbajtur në këmbë një ekonomi (dhe aparatin e partisë së tij) që aktualisht mbahet vetëm nga trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe njëfarë turizmi me kosto të ulët e të paqëndrueshëm.
Siç tha von der Leyen në fjalën e saj: “Keni përmbushur mbi 80% të hapave të reformave. Keni marrë tashmë 213 milionë euro nga fondet e BE-së. Pagesa të tjera priten në javët në vijim.”
Kush e di sa milionë nga këto fonde të BE-së kanë përfunduar tashmë në xhepat e Agasit, Manes, Kastratit, Ballukut, Ramës dhe gjithë atyre kriminelëve–oligarkëve–politikanëve të tjerë?
Ajo që dimë me siguri është se këto fonde u duhen dëshpërimisht për ta mbajtur nën kontroll popullsinë shqiptare: për të paguar punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes që të mbrojnë selinë e Partisë Socialiste me hunj druri; për të paguar kriminelët që shkojnë derë më derë për t’u mbyllur gojën studentëve protestues; për të paguar gangsterët e maskuar që kërcënojnë mjekët në spitale; për të paguar forcat speciale që hedhin gaz lotsjellës mbi pikat e ndihmës së parë; për të paguar telefonatat anonime që u thonë prindërve t’i mbajnë fëmijët në shtëpi, përndryshe…
Ja ku shkojnë gjithë ato fonde të BE-së. Ja pse Ramës i duhet Shqipëria në BE.
Po von der Leyen? Po të ishte në dorën e saj, do ta kthente Shqipërinë në një kamp gjigant emigrantësh.
Shpërndaje te miqtë
