Pas BE-së e SHBA-ve, dhe OSBE kërkon miratimin e reformës para 31 majit

exit.al 28 Maj 2020, 14:09

Bernd Borchardt, përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë, i kërkoi shumicës dhe opozitës të përfundojnë sa më parë Reformën Zgjedhore, mundësisht brenda 31 majit siç kanë premtuar. Përmes një deklarate zyrtare, Borchardt u shpreh:

“Unë i nxis të gjitha partitë në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike.”

Ai i kujtoi Këshillit Politik disa nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për Kodin Zgjedhor si depolitizimin e administratës zgjedhore, balancën gjinore në listat zgjedhore, ngritjen e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrollin dhe transparenca e financimit të fushatës, transparencën e medias gjatë zgjedhjeve, si dhe dhënien fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme. Reagimi i OSBE-së vjen pak orë para mbledhjes së radhës së Këshillit Politik. Më herë, dhe ambasadorja Kim dhe eurokomisioneri Varhelyi nxitën palët të përfundojnë reformën në 31 maj.