“Jemi në prag të hapjes së dy projekteve madhore të qytetit: tubacioni i ri që dyfishon prurjet në Bovillë, ku filtrohet uji dhe impianti i filtrimit.
Falenderoj shumë Kryeministrin, ministren Balluku, që u bënë partnerët tanë për ta ndarë këtë kosto; pra, ne të bënim impiantin e filtrimit këtu ku jemi, ata të bënin tubacionin që dyfishon ujin në Tiranë.”
Zoti Veliaj tha se ‘shumica dërrmuese e qytetarëve do ta ndjejnë premtimin për 24 orë ujë që tani, jo në 2024.’ Në vitin 2017, kur kryebashkiaku Veliaj miratoi rritjen e çmimin e ujit të pijshëm, premtoi se Tirana do të kishte ujë 24 orë falë rritjes së çmimi të ujit:“Duam që brenda 5 viteve, Tirana të ketë ujë 24 orë.
E morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë, e kemi me 14 orë dhe duam, siç kemi premtuar, nga 1 janari kur filluam këto investime madhore pasi BERZH-i na besoi kredinë e ujit, deri në fund të mandatit tjetër ne të kemi shkuar nga 14 në 24 orë ujë dhe të ndihemi të gjithë krenar që ishim pjesë e një transformimi jetësor për Tiranën.”
Megjithëse kryebashkiaku thotë se që tani në kryeqytet ka 14 orë në ditë ujë, qytetarët shprehen se kanë ujë kryesisht 7 orë në ditë, sipas orarit: 6:00-8:00, 12:00-13:30, dhe 19:00-20:30. Në verën e 2019-ës, shumë lagje kryesore të Tiranës si 'Ali Demi', 'Myslym Shyri', 'Komuna e Parisit', janë furnizuar me ujë vetëm 2 orë në ditë. Në një raportim të Exit News, qytetarët pohuan se në 2-3 vitet e fundit situata e furnizimit me ujë është përkeqësuar.
