"2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. "
Sipas pikës së mësipërme për të nisur procedurën e shkarkimit duhen plotësuar 2 kushte:1.Presidenti të jetë në shkelje të rëndë të Kushtetutës. 2.Presidenti të ketë kryer një krim të rëndë.
Pika e tretë e po këtij neni të kushtetutës përcakton se për të nisur procedurën për shkarkimin e Presidentit duhet jo më pak se 35 deputetë. Taulant Balla në një konferencë për shtyp deklaroi se janë mbledhur rreth 55 firma të deputetëve socialistë. Neni 112 i Rregullores së Kuvendit rendit hapat nga momenti i depozitimit të kërkesës së 35 deputetëve në Kuvend e deri në përfundim të procedurës. Kërkesa e depozituar nga ky kuorum i deputetëve duhet të përmbajë në mënyrë të detajuar, arsyet dhe faktet përse Presidenti ndodhet në një nga dy rastet e përcaktuara nga kushtetuta. Kjo kërkesë i paraqitet Kryetarit të Kuvendit , i cili njofton menjëherë Kuvendin dhe Presidentin për kërkesën e depozituar, së bashku dhe me argumentet e paraqitura. Kryetari i kuvendit ja dërgon Komisionit të ligjeve kërkesën e deputetëve dhe propozon ngritjen ose jo të një komisioni hetimor . Komisioni i ligjeve mbas shqyrtimit të propozimit, harton një raport nëse duhet të ngrihet ose jo një komision hetimor. Brenda 7 ditëve nga momenti i dorëzimit të raportit në Kuvend, duhet të zhvillohet seanca plenare për të diskutuar lidhur me raportin e komisionit të ligjeve. Nëse votohet kundër këtij raportit , procedura e shkarkimit ndërpritet, por nëse pro tij votojnë shumica e deputetëve, brenda dy ditëve ngrihet komisioni hetimor. Nga njëra anë, komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë presidentin dhe t'i japë kohën e mjaftueshme për tu dëgjuar, në lidhje me propozimin për shkarkim. Nga ana tjetër, nëse Presidenti kërkon të dëgjohet në komision, pavarësisht nëse ka një komision hetimor, atëherë komisioni i ligjeve është i detyruar ta dëgjojë duke i lënë kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen dhe për të dhënë sqarime lidhur me faktet e paraqitura nga deputetët. Në përfundim të hetimit komisioni hetimor duhet të paraqesë përpara Kuvendit arsyet dhe motivet për shkarkimin e Presidentit. Brenda 20 ditëve nga paraqitja e raportit caktohet seanca plenare nga Konferenca e Kryetarëve. Në përfundim, Kuvendi vendos për shkarkimin e presidentit me 93 vota. Ky vendim i dërgohet Gjykatës Kushtetuese brenda 5 ditëve dhe vetëm kjo e fundit ka kompetencën për të shkarkuar Presidentin.
